Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka deklaruar se ish-kryeministri Sali Berisha do të çlirohet së shpejti nga masa e “non gratës” e shpallur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për A2 CNN, Këlliçi tha se tashmë në SHBA ekziston një realitet i ri politik, ku sipas tij, zyrtarët që shpallën sanksionin ndaj Berishës nuk kanë më fuqi institucionale.
“Sot që flasim ka një realitet tjetër dhe në SHBA. Dhe realiteti është që dhe Blinken që sanksionoi Berishën, është një ish-zyrtar që nuk shkel dot në një institucion. Non grata do të hiqet. 100% do të hiqet”, u shpreh Këlliçi.
Ai shtoi se që në vitin 2021 ka pasur bindjen se kjo masë nuk do të ishte e përhershme.
“Nuk jam zyrtar i SHBA, por jam i sigurt në mënyrë absolute. E kam patur që në 2021 këtë qëndrim. Dhe të jeni të bindur se do të ndodh. Kur me afat kohor nuk e di, se nuk jam orakull”, tha deputeti demokrat.
Deklarata e Këlliçit vjen në një moment kur opozita shqiptare vijon të akuzojë mazhorancën për lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa figura e Berishës mbetet në qendër të debatit politik për shkak të vendimit të Uashingtonit për ta shpallur “non grata”.



