Të mërkurën, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi draft-raportin e hartuar nga raportuesi i këtij institucioni për Kosovën, Riho Terras.
Raportoi vlerësoi përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian gjatë viteve 2023 dhe 2024, teksa eurodeputetët kërkuan heqjen e menjëhershme të masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se ato nuk janë të justifikueshme, pasi Kosova ka përmbushur tashmë kërkesat e BE-së
Këtë kërkesë po e vlerëson si të duhur deputetja britanike, Alicia Kearns. Ajo thotë se megjithëse kërkesa është e vonuar, është shumë e mirëpritur.
“Lajm i vonuar dhe jashtëzakonisht i mirëpritur botës duhet t’i kthehet ekuilibri, dhe veçanërisht qasja e BE-së ndaj Ballkanit, shpresoj që këto thirrje të merren parasysh”, ka thënë Kearns në X, e cila vazhdimisht e ka ngritur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Autori i raportit, eurodeputeti Riho Terras, ka theksuar se është i nevojshëm një hap i ri në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Kujtojmë se masat e BE-së ndaj Kosovës janë vënë në vitin 2023 si pasojë e krizës në veri. Në fund të mandatit të tij si kryediplomat i BE-së, Josep Borrell, u shkroi letër shteteve anëtare duke propozuar heqjen e masave ndaj Kosovës.