Këshilli i Ministrave vendosi sot shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së qeverisë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Vendimi pason miratimin e propozimit të Partisë Socialiste nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, i cili u miratua me shumicë votash të hënën. Një ditë më parë, Prefekti i Tiranës i kishte njoftuar zyrtarisht Veliajn për këtë propozim, ndërsa ligji parashikon që vendimi përfundimtar merret nga qeveria.
Në një takim me ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës, kryeministri Rama, përkrah Ogerta Manastirliut, kandidate për kryebashkiake, e konsideroi vendimin si të detyruar.
“Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si ‘trup pa kokë’ dhe qytetarët nuk mund të bashkëjetojnë me një ‘bashki kokëkëputur’. Opozita do të hyjë e humbur në garën për kryeqytetin,” u shpreh Rama.
Vendimi për shkarkimin e Veliajt ka hapur një kapitull të ri në politikën lokale të Tiranës, duke e kthyer garën për kryeqytetin në një përballje të drejtpërdrejtë mes PS-së dhe opozitës.



