Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) zhvilloi mëngjesin e sotëm një mbledhje të rëndësishme, ku në rend dite ishte miratimi i listës me kandidatët që do të garojnë për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Pas një procesi diskutimesh dhe shqyrtimesh paraprake, KLP miratoi listën me katër kandidatë që do të vijojnë garën për drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare. Bëhet fjalë për Adnan Xholin, Doloreza Musabellin, Elvin Gokajn dhe Klodian Brahon.
Në mbledhje ishin të pranishëm 11 anëtarë të Këshillit, të cilët shqyrtuan dokumentacionin dhe kushtet ligjore të secilit kandidat, duke i hapur rrugë fazës së mëtejshme të procesit të përzgjedhjes.
Megjithatë, zhvillimi i seancës nuk kaloi pa debate. Anëtari i Këshillit, Zeqir Hodaj, kërkoi që të jepte sqarime në lidhje me shkrimet e publikuara në disa media, ku përmendej se ai mund të ishte në konflikt interesi, pasi i biri është punësuar si hetues financiar në SPAK.
Në fjalën e tij, Hodaj sqaroi se ndonëse nuk gjendet në kushtet ligjore për t’u tërhequr nga vendimmarrja, ai kërkon kohë për të reflektuar dhe për të garantuar një proces të pastër dhe të drejtë.
“Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, por kërkoj t’i jepet kohë edhe këshillit, edhe vetes, për të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Unë vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale, duhet të largohem nga votimi për të marrë kohën e duhur për një proces të rregullt ligjor”, deklaroi Hodaj.
Pas largimit të tij nga salla, Këshilli vijoi procedurat dhe në përfundim votoi me 10 vota pro, duke miratuar listën me katër kandidatët që do të vijojnë garën për drejtimin e SPAK.
Ky vendim i hap rrugë fazës së dytë të procesit të përzgjedhjes, ku kandidatët do të kalojnë në vlerësime më të thelluara profesionale dhe etike, përpara se KLP të vendosë se kush do të jetë pasuesi i drejtuesit aktual të SPAK, Altin Dumani, mandati i të cilit është drejt përfundimit.
Pritet që në javët në vijim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zhvillojë intervistat dhe të vlerësojë kandidatët sipas kritereve ligjore dhe profesionale, për të përcaktuar drejtuesin e ri të këtij institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.