Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka reaguar pas prezantimit të projekt-kodit të ri penal, duke kërkuar që ai të mos shndërrohet në një instrument represiv, por në një mjet të drejtësisë humane dhe funksionale.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të draftit, Sadushi deklaroi se Gjykata e Lartë kërkon një kod që ndihmon dhe qartëson, jo një që ngatërron apo frikëson. “Sa më i paqartë kodi, aq më të paqëndrueshme janë vendimet. Sa më i mbingarkuar, aq më shumë konfuzion krijon,” – u shpreh ai.
Sadushi theksoi se Kodi Penal duhet të shmangë kriminalizimin e panevojshëm të sjelljeve, që në të vërtetë mund të trajtohen përmes së drejtës civile, administrative apo mjeteve të tjera alternative.
Duke ngritur një sërë pyetjesh kritike për draftin, kreu i Gjykatës së Lartë nënvizoi rëndësinë e një ligji penal që i flet qytetarëve, është i kuptueshëm për profesionistët dhe i zbatueshëm në praktikë. “Ky kod nuk është një trofe. Është një angazhim ndaj qytetarëve,” – tha Sadushi.
Ai kërkoi që projektligji të mbështetet në parime të panegociueshme si qartësia, proporcionaliteti, humanizmi dhe risocializimi. Sipas tij, qëllimi i së drejtës penale nuk duhet të jetë thjesht ndëshkimi, por parandalimi dhe edukimi.
Sadushi vlerësoi punën e bërë nga grupi hartues, por shtoi se versioni përfundimtar i draftit nuk është bërë ende publik, ndaj konsultimi i gjerë dhe reflektimi institucional janë thelbësorë për një produkt që i shërben drejtësisë dhe shoqërisë.