Një ditë pas vendimit pa konkluzion të Gjykatës Kushtetuese, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me një koment kritik, ku vë në pikëpyetje seriozitetin, koherencën dhe integritetin e trupës aktuale gjykuese.
Në analizën e tij, Manjani lidh bllokimin e vendimmarrjes kushtetuese me mungesën e plotësimit të gjykatës, personalizimin e vendimeve dhe dështimet strukturore të reformës në drejtësi, duke theksuar se zgjidhjet nuk mund të vijnë nga improvizimi apo lojërat mediatike, por nga politika dhe Parlamenti.
Pikat kryesore nga komenti i Manjanit
Mungesa e seriozitetit dhe integritetit
“Gjykimi kushtetues është një proces serioz, nga më seriozët në një republikë kushtetuese. Ky seriozitet ka kohë që na mungon. Trupës së sotme gjyqsore i mungon serioziteti dhe integriteti profesional. Mungesa e koherencës në vendimmarrje është prova e mungesës së seriozitetit dhe integritetit.”
Gjykatë e paplotësuar, vendime të bllokuara
“Gjykata Kushtetuese nuk mund të lihet e paplotësuar në numër, që vendimet të varen nga humori i ditës së gjyqtarëve. Numri prej 9 gjyqtarësh është përcaktuar për të shmangur vendime pa vendim, por prej një viti kjo nuk ndodh. Para reformës, ky problem nuk ekzistonte.”
Vendimmarrje mbi persona, jo parime
“Si kudo, edhe në gjykimin kushtetues, vendimet bazohen mbi persona, jo mbi parime. Për fat të keq, mllefi i personit ndaj personit është shpesh në themel të vendimmarrjeve.”
Zgjidhjet vijnë nga politika dhe Parlamenti
“Për të mirë apo për të keq, zgjidhjet duhet të vijnë nga nismat legjislative. Drejtësia është e pavarur, por jo e paanëshme. Reforma nr. 1 duhet të jetë ndërtimi i një gjykate të paanëshme.”
“Teoritë e tjera me lojra dyfishe dhe me dukje partizane janë vetëm për të mbushur hapësirën mediatike, jo për të kuptuar realitetin e vendit tonë.”



