Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se emrat e anëtarëve të komisionit të reformës zgjedhore ende nuk janë përcaktuar, dhe vendimet do të merren pasi të qartësohet platforma e punës së komisioneve.
“Akoma nuk kemi një ekip të mandatuar. Po bëhen diskutime paraprake në Komisionin e Ligjeve, po shqyrtohen rrethanat dhe kriteret. Sapo të qartësohet çfarë platforme do zbatohet në punën e këtyre komisioneve, atëherë ne do marrim vendimet,” tha Berisha.
Ish-kryeministri shtoi se paketa e reformës zgjedhore do të jetë fryt i përbashkët i të gjitha forcave opozitare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe konsensusit brenda opozitës. Ai u shpreh gjithashtu se është i hapur për përfshirjen e partive të reja, duke garantuar se zëri i tyre do të mbahet parasysh.
Berisha u ndal edhe tek situata e deputetit Tom Doshi, duke thënë se për përfshirjen e tij në komision do të presë të qartësohet pozicioni i tij aktual: “Fillimisht ishte propozuar që të kalonte në opozitë. Tani do të shohim çfarë vendimi do të marrë vetë Toma.”
Ai gjithashtu kritikoi mënyrën si trajtohen partitë e vogla brenda procesit parlamentar, duke theksuar se ata shpesh nuk marrin kohën e duhur për të folur dhe përfaqësuar zgjedhësit e tyre, ndërsa opozita duhet të ruajë një qasje të përbashkët dhe transparente.



