Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së enjtes fshatin Pirg të Maliqit, ku një konflikt mes dy adoleshentëve ka përfunduar në tragjedi.
Sipas burimeve zyrtare, viktima është identifikuar si Erald Xhejo, 14 vjeç, ndërsa i plagosur ka mbetur bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri.
Të dy të miturit, të cilët një ditë më parë kishin pasur një konflikt verbal, janë takuar sërish në një lokal të zonës rreth orës 17:30. Aty, debati ka degraduar në përleshje fizike dhe më pas në përdorimin e armës së ftohtë. Gjatë sherrit, Xhejo ka marrë plagë të rënda me thikë dhe ka ndërruar jetë, ndërsa Guri ka pësuar dëmtime dhe është dërguar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe mbikëqyrjen e policisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të konfliktit mes dy të miturve.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin lokal, duke rikthyer në vëmendje problemin e dhunës mes të rinjve dhe mungesën e mekanizmave parandaluese për situata të tilla fatale.