Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka njoftuar se ka marrë informacion mbi arrestimin e shtetasit kosovar Avni Qenaj nga autoritetet serbe dhe ka kërkuar menjëherë sqarime zyrtare për rastin.
Sipas MPJD-së, janë kërkuar informacione për arsyet e ndalimit dhe vendndodhjen aktuale të tij nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi. Ministria ka informuar gjithashtu Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe.
“Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës,” tha MPJD.
Pozicioni i Qenajt dhe veteranëve të UÇK-së
Qenaj, i cili është nga fshati Romajë i Prizrenit, kishte shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare gjatë luftës së Kosovës. Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Qenajt i është gjetur kartela e anëtarësisë së veteranit, dhe se ai nuk kishte pasur probleme gjatë kalimeve të mëparshme në Serbi.
“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar,” tha Syla.
Akuza e Serbisë
Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se i arrestuari, i identifikuar me inicialet A.Q., dyshohet për veprat penale të organizimit të një grupi dhe nxitjes për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës. Sipas autoriteteve serbe, Qenaj në prill 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së në Romajë dhe ka marrë pjesë në sulmin ndaj postit kufitar në Koshare në vitin 1999.
Veprimet e MPJD-së
MPJD ka njoftuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të kërkojë leje për vizitën e Qenajt, sapo të konfirmohet vendndodhja e tij. Ministria i ka bërë thirrje gjithashtu bashkësisë ndërkombëtare për presion ndaj autoriteteve serbe, duke theksuar se vazhdon praktika e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve kosovarë, që cenon normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.



