Edmond Hoxhaj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 20 nëntor prishjen e vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Semiramis Hoxholli dhe pushimin e çështjes së vetingut ndaj saj. Vendimarrja e KPA-së sjell rikthimin në detyrë të gjyqtares Hoxholli.
Vendimi u mor me shumicë votash pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Hoxhollit kundër vendimit të KPK-së, nga ana e trupit gjykues të Kolegjit të kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.
Komisioni vendosi më 24 shtator 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Hoxholli, pasi u konstatua se nuk kishte deklaruar dënimin e vëllait të saj në Greqi për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, që u konsiderua si kontakt i papërshtatshëm.
Në fillim të hetimit administrativ të nisur ndaj saj, Hoxholli ngriti pretendime se ajo nuk ishte subjekt rivlerësimi kalimtar, pasi e kishte fituar statusin e magjistratit pas hyrjes në fuqi të legjislacionit të vetingut. Por, KPK vlerësoi se ajo ishte subjekt rivlerësimi dhe vijoi hetimin administrativ që u konkludua me shkarkim.
Në vendimin e shkurtuar të Kolegjit që BIRN e disponon, shkruhet se Hoxholli e ka kërkuar në ankimin e saj ndër të tjera, që të mos konsiderohet si subjekt rivlerësimi dhe të prishet vendimi i KPK-së.
Në verifikikm të këtij shkaku ankimi, Kolegji konstaton se Hoxholli e ka fituar statusin e magjistratit me emërimin e saj si gjyqtare me vendim të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të datës 20 janar 2017. Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese lidhur me Reformën në Drejtësi, që kanë hyrë në fuqi më datë 8 dhjetor 2016, Kolegji vlerëson se ankuesja e ka fituar statusin e magjistratit pas hyrjes në fyqi të ligjit për vetingun e magjistratëve.
Për këtë arsye, KPA ka vlerësuar se Hoxholli nuk bënë pjesë në rrethin e subjekteve të rivlerësimit kalimtar ex officio dhe se nuk duhej t’i ishte nënshtruar rivlerësimit nga organet e vetingut.
Bazuar në këto argumente, Kolegji çmon se vendimarrja e Komisionit për Hoxhollin është në tejkalim të ligjit dhe duhet prishur. Në përfundim, KPA me shumicë votash ka vendosur prishjen e vendimit të KPK dhe pushimin e çështjes së rivlerësimit kalimtar për Hoxhollin. Kjo vendimarrje e Kolegjit e rikthen në detyrë gjyqtaren Semiramis Hoxholli.