Klodian Braho ka marrë zyrtarisht detyrën si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), duke shënuar nisjen e një kapitulli të ri në drejtimin e institucionit kyç të drejtësisë shqiptare. Ceremonia e marrjes së detyrës u zhvillua në ambientet e SPAK, ku Braho mbajti edhe një fjalë të shkurtër përpara mediave.
Në deklaratën e tij, Braho theksoi se marrja e detyrës nuk përfaqëson thjesht një moment simbolik, por një angazhim serioz dhe të vazhdueshëm për respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, si dhe për garantimin e pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.
“Së pari, shpreh falënderimin tim për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për besimin e dhënë. Marrja e kësaj detyre, më shumë se një moment simbolik, është një angazhim për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK dhe për të forcuar më tej besimin e qytetarëve te drejtësia”, u shpreh Braho.
Kreu i ri i SPAK vlerësoi rolin e partnerëve ndërkombëtarë në forcimin e institucionit, duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë vendimtare për konsolidimin e SPAK si një strukturë e fortë dhe e besueshme e ndjekjes penale. Ai nënvizoi se bashkëpunimi me këta partnerë do të vijojë edhe në të ardhmen.
Braho shprehu gjithashtu vlerësim për punën e drejtuesve të mëparshëm të SPAK, duke përmendur ish-kreun e parë të institucionit, Arben Kraja, si edhe pasardhësin e tij, Altin Dumani, për kontributin e dhënë në ngritjen dhe forcimin e Prokurorisë së Posaçme.
Në lidhje me prioritetet e mandatit të tij, Braho deklaroi se fokusi kryesor do të jetë forcimi i funksionimit të brendshëm të institucionit, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së plotë të prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës së tyre.
Ai theksoi se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe sektori i hetimit financiar mbeten shtylla thelbësore të SPAK, ndërsa bashkëpunimi i ngushtë mes prokurorëve dhe hetuesve do të vijojë të forcohet, me synimin për hetime më cilësore, profesionale dhe me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në përfundim të fjalës së tij, Braho garantoi se SPAK do të vijojë të ketë komunikim të vazhdueshëm dhe transparent me median dhe publikun, duke respektuar gjithmonë kornizën ligjore dhe parimin e hetimeve të pavarura.



