Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësime serioze për një përshkallëzim të mundshëm të paqëndrueshmërisë në Venezuelë, pas kapjes së presidentit të vendit, Nicolas Maduro, nga autoritetet amerikane.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me 15 anëtarë, u mblodh në selinë e organizatës në Nju Jork vetëm disa orë përpara se Maduro të paraqitej në Gjykatën Federale të Manhattanit, ku përballet me akuza të rënda për trafik droge, përfshirë konspiracion dhe narko-terrorizëm. Ish-presidenti venezuelian ka mohuar çdo përfshirje kriminale.
Guterres u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë venezuelianë të angazhohen në një dialog gjithëpërfshirës dhe demokratik, duke theksuar nevojën për një zgjidhje paqësore të krizës.
“Unë mirëpres dhe jam i gatshëm të mbështes çdo përpjekje që ndihmon venezuelianët të gjejnë një rrugë paqësore përpara”, u shpreh Guterres.
Sipas mediave ndërkombëtare, Sekretari i Përgjithshëm shprehu gjithashtu shqetësim se operacioni amerikan për kapjen e Maduro-s në Karakas, i zhvilluar të shtunën, nuk ka respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare.
“Jam thellësisht i shqetësuar për intensifikimin e mundshëm të paqëndrueshmërisë në Venezuelë, për ndikimin që kjo mund të ketë në rajon dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për marrëdhëniet ndërmjet shteteve”, thuhet në deklaratën e lexuar në Këshillin e Sigurimit nga nënsekretarja e OKB-së për Çështjet Politike, Rosemary DiCarlo.
Kolumbia, e cila kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit, e dënoi operacionin e SHBA-së si një shkelje të qartë të sovranitetit, pavarësisë politike dhe integritetit territorial të Venezuelës.
Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare kanë deklaruar se operacioni amerikan ishte i paligjshëm, pasi nuk kishte autorizimin e Këshillit të Sigurimit, nuk kishte pëlqimin e autoriteteve venezueliane dhe nuk justifikohej si akt vetëmbrojtjeje ndaj një sulmi të armatosur.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbahen përgjegjëse nga Këshilli i Sigurimit, për shkak të së drejtës së vetos që gëzojnë së bashku me Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe dhe Francën.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, iu referua Nenit 51 të Kartës së OKB-së, i cili njeh të drejtën e vetëmbrojtjes individuale ose kolektive në rast të një sulmi të armatosur ndaj një shteti anëtar.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka paralajmëruar një tjetër ndërhyrje ushtarake nëse Venezuela nuk bashkëpunon në hapjen e industrisë së naftës dhe ndalimin e trafikut të drogës. Paralajmërimet e tij kanë përfshirë gjithashtu Kolumbinë, Meksikën dhe Kubën, për të cilën Trump deklaroi se “duket se është në prag të rrëzimit”.



