Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot në një deklaratë për mediat duke akuzuar qeverinë se po përqendron pushtetin në duart e kryeministrit Edi Rama dhe po shkatërron institucionet kushtetuese të vendit.
Sipas tij, drafti i projektligjit të administratës shtetërore synon të vendosë ushtrinë, diplomacinë dhe universitetet nën kontrollin e drejtpërdrejtë të kryeministrit, duke u hequr statusin e tyre kushtetues.
“Duke i futur këto institucione në ligjin për administratën shtetërore, nën varësinë e kryeministrit, ato faktikisht humbasin statusin e tyre kushtetues. Ky kryeministër nuk e ka problem të përdorë policinë ushtarake për të bllokuar një televizion në mënyrë antikushtetuese, duke keqpërdorur forcat e armatosura,” tha Berisha.
Ish-kryeministri paralajmëroi se opozita do të kundërshtojë me forcë këtë projekt, të cilin e cilësoi si një “goditje ndaj demokracisë dhe ndarjes së pushteteve”.