Në kampin e Partisë Demokratike ka nisur të marrë formë një “kryengritje” e heshtur nga ish-deputetët që mbetën jashtë listave të Sali Berishës. Megjithëse vendimmarrja për listën ishte e kreut të PD-së, zemërimi i tyre nuk po drejtohet ndaj tij, por ndaj kolegëve të grupit parlamentar.
Shkëndija e parë erdhi nga Myslim Murrizi, i cili në një postim publik i kërkoi deputetëve të PD-së të mos merren vetëm me mbrojtjen e interesave të hoteleve dhe televizioneve private, por të denoncojnë edhe çështje të tjera, si “vjedhjen e naftës nga ‘Bankers’”, të cilën, sipas tij, e kanë lejuar të gjitha qeveritë.
Postimi i Murrizit u shpërnda nga Edmon Spaho, i njohur për besnikërinë ndaj lidershipit, i cili shtoi me ironi: “Opozita është e zënë me probleme më të rëndësishme, p.sh. si t’i kalojmë pushimet me sa më pak shqetësime, ose si të mbështesim financimet e ndonjë oligarku mediatik.”
Menjëherë reagoi edhe ish-deputetja e Vlorës, e lënë gjithashtu jashtë Parlamentit, e cila akuzoi kolegët e PD-së se janë të përqendruar në marrjen e tenderave dhe lejeve të ndërtimit. Ajo i krahasoi sjelljet e tyre me periudhën kur PD drejtohej nga Lulzim Basha, duke shtuar: “Ose si të marrin ndonjë tender, koncesion park fotovoltaik, leje ndërtimi apo ndonjë para të thata… Tani na ngelet të këndojnë: ‘Mora pushkën dola malit… ku e dija unë i shkreti se armiku ishim ne.’”
Këto përplasje virtuale nuk e adresojnë thelbin e pakënaqësisë, por kanë marrë formën e sulmeve personale mes ish-deputetëve dhe deputetëve aktualë, duke treguar se pakënaqësia në radhët e PD-së po del në pah më shumë si shfryrje inatesh sesa si debat politik me vizion të qartë.