Analisti politik Edvin Kulluri ka komentuar lëvizjen e re brenda Partisë Demokratike, në të cilën përfshihet edhe ish-deputeti Ervin Salianji, duke e cilësuar si një grupim më të ndërgjegjshëm për krizën politike që po kalon PD.
I ftuar në emisionin “Studio 24”, Kulluri tha se ky grup është më i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të partisë dhe për nevojën për të ndryshuar situatën brenda strukturave demokratike. “Unë do i vë emrin grup apo lëvizje, pasi janë shumë më koshientë se pjesa tjetër, sepse ata e kuptojnë se PD është shumë keq për arsye të caktuara të vetë PD,” tha analisti.
Kulluri gjithashtu kritikoi lidershipin aktual të PD-së, duke theksuar se premtimet e foltores për të shpëtuar partinë nga pengmarrja e kryetarit Lulzim Basha nuk janë mbajtur. Ai përmendi mungesën e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar dhe nevojën për debat mbi kodin zgjedhor, duke vënë në dukje se barra e rëndë ka rënë mbi anëtarë si Tabaku dhe Alimehmeti.
“Diskutimi për situatën sot është në zonën gri, pasi problem është pse nuk dalin ata 700-800 mijë që të përmbysin këtë mazhorancë,” shtoi Kulluri, duke theksuar se lëvizja e re mund të sjellë një frymë ndryshimi dhe më shumë ndërgjegjësim brenda PD-së.
Analisti e konsideron këtë grup si një shans për rithemelim, hapje dhe meritokraci, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për rikthimin e PD-së si alternativë qeverisëse.



