back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKur shteti nuk funksionon online/ Tabaku flet për kolapsin digjital

Kur shteti nuk funksionon online/ Tabaku flet për kolapsin digjital

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale kolapsin e shërbimeve digjitale të qeverisë shqiptare, duke theksuar se situata po godet rëndë biznesin dhe profesionistët e lirë.

Sipas Tabakut, sistemi i teknologjisë së informacionit i institucioneve shtetërore është aktualisht i bllokuar, duke e bërë të pamundur marrjen e shërbimeve bazë nga tatimet, institucionet publike dhe platforma e-Albania. Ajo nënvizon se pasojat më të rënda po i vuajnë profesionistët e lirë dhe bizneset e vogla.

Deputetja rikujtoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në favor të profesionistëve të lirë, një betejë ligjore e fituar nga mbi 20 mijë qytetarë. Megjithatë, sipas saj, për shumë prej tyre problemet janë thelluar, pasi sistemi digjital i shtetit është pezulluar dhe nuk funksionon.

Tabaku thekson se profesionistët e lirë nuk arrijnë të kryejnë veprimet më elementare të përditshme, si gjenerimi i faturave, llogaritja e kostove apo analiza bazë e aktivitetit përmes sistemit self-care. “Një biznes i vogël që punon nga mëngjesi në darkë nuk arrin dot të nxjerrë as një faturë të vetme”, shprehet ajo.

Sipas deputetes së PD-së, bëhet fjalë për tatimpagues korrektë, të cilët paguajnë taksa të larta dhe përballojnë kosto të shtuara fiskalizimi, por nuk marrin as shërbimin minimal nga shteti. “Kjo është ‘qeveria e shërbimeve’. Kjo është qeveria e medaljeve të kota”, deklaron Tabaku, duke kërkuar përgjegjësi për situatën e krijuar.

Në përfundim, ajo e përshkruan realitetin aktual si paradoksal: një Shqipëri që pretendohet si ‘digjitale’, por që nuk arrin të ofrojë as shërbimet më bazë për biznesin, duke iu përgjigjur sipërmarrjes shqiptare me “ERROR 404”. Sipas saj, kolapsi digjital po e zhyt biznesin në krizë dhe po minon besimin e qytetarëve te shteti.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat