Gjykata Kushtetuese njoftoi sot se Kolegji i këtij institucioni u mblodh për shqyrtimin paraprak të kërkesës së paraqitur nga Kryeministri Edi Rama, lidhur me vendimin e GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Pas analizës së parë, Kolegji vendosi që çështja të kalojë te Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila do të vlerësojë nëse plotësohen kriteret e pranueshmërisë për shqyrtim në seancë plenare.
Në njoftimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson:
“Kolegji i Gjykatës u mblodh sot për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë për shqyrtim në seancë plenare, në përputhje me ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren për Procedurat Gjyqësore. Vendimmarrja do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.”
Nëse Mbledhja e Gjyqtarëve pranon kërkesën, Gjykata Kushtetuese do të vendosë më pas nëse do të pezullojë vendimin e GJKKO-së për Ballukun apo do ta lërë atë në fuqi deri në përfundimin e shqyrtimit.
Ky proces pritet të vendosë një precedent të rëndësishëm për kompetencat e gjykatave në çështjet që prekin anëtarët e qeverisë dhe balancën mes pushteteve në Shqipëri.



