Institucionet e pavarura të Shqipërisë nuk do të paraqiten për të dhënë llogari në Kuvend gjatë muajve qershor dhe korrik për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024. Kjo përfshin edhe Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila nuk do të raportojë më 24 qershor në Komisionin e Ligjeve, siç ishte parashikuar më parë.
Report TV ka mësuar se drejtuesit e institucioneve të pavarura, përfshirë edhe kreun e SPAK, Altin Dumani, do të thirren për raportim në shtator, pas betimit dhe fillimit të punës së deputetëve të rinj në Kuvend.
Një prej arsyeve për këtë shtyrje është situata e komplikuar në Komisionin e Ligjeve, kryetarja e të cilit, Klotilda Bushka, aktualisht është nën hetim nga SPAK, ndërsa hetime janë në zhvillim edhe ndaj disa figurave politike nga të dy kampet kryesore.
Kalendari i punimeve të Kuvendit përfshin dy seanca në fund të qershorit dhe fillim korrikut, por në asnjërën prej tyre nuk parashikohet raportimi i institucioneve të pavarura apo miratimi i rezolutave për to.
Pas zgjedhjeve të 11 majit, aktiviteti parlamentar është reduktuar ndjeshëm për shkak të mungesës së deputetëve, sidomos atyre që nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit të ri. Aktualisht, 82 deputetë nga 140, përfshirë nga PS, PD dhe PSD, nuk do të rikthehen në mandatin e ardhshëm.
Raportimi vjetor i institucioneve të pavarura ishte parashikuar të bëhej në pranverë, por fushata zgjedhore dhe largimi i deputetëve nga detyrat e tyre në fund të mandatit kanë sjellë shtyrjen e këtij procesi.
Mazhoranca socialiste ka ndryshuar planin e punës së Kuvendit duke shtyrë raportimin për në shtator, me shpresën që institucionet dhe deputetët e rinj të fillojnë punën në mënyrë më të organizuar.