Deputetja e zgjedhur në listat e Partisë Demokratike në Tiranë, Mesila Doda, ka vendosur të mos i bashkohet asnjë prej grupeve opozitare në Kuvend, duke zgjedhur të mbetet deputete e pavarur.
Burime konfirmojnë se Doda ka refuzuar të jetë pjesë e ndonjë prej tre grupeve parlamentare të opozitës, atij të PD-së, të Partisë së Lirisë, apo grupit të ri të drejtuar nga Fatmir Mediu.
Ndërkohë, paralelisht me këtë zhvillim, është finalizuar krijimi i grupit të ri parlamentar nën drejtimin e Mediu. Këtij grupi i janë bashkuar Vangjel Dule (PBDNJ), Artan Luku (PAA), Greta Bardeli (PD), Denisa Vata (PD), Zija Ismaili (PD) dhe Fidel Kreka (PD).
Në këtë mënyrë, opozita tashmë ka tre grupe parlamentare të konsoliduara, ndërsa grupi i PD-së i drejtuar nga Gazment Bardhi është reduktuar në 35 deputetë pas largimeve të fundit dhe vendimit të Dodës për të mbetur jashtë.