Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka firmosur strukturën e re drejtuese të SPAK, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në drejtimin e seksioneve kryesore hetimore.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se Altin Dumani është emëruar shef i seksionit për marrëdhëniet me jashtë, një sektor kyç për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Më herët, ky departament drejtohej nga prokurorja Dorina Bejko, e cila kishte zëvendësuar Arben Krajën pas përfundimit të mandatit të tij si kryeprokuror i SPAK.
Dorina Bejko tashmë merr drejtimin e seksionit për hetimin e korrupsionit, ndërsa prokurori Vladimir Mara është emëruar në krye të seksionit kundër krimit të organizuar. Mara njihet për përvojën e tij në drejtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me antimafian italiane.
Arben Kraja, i cili kishte mbajtur postin e shefit të marrëdhënieve me jashtë për afro tre vite, ishte emëruar në këtë detyrë nga pasuesi i tij Altin Dumani, por u rikthye si prokuror i thjeshtë në SPAK pas konflikteve lidhur me drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ndërkohë, departamenti i krimit të organizuar drejtohej deri më tani nga prokurori Adnand Xholi, i cili mbetet prokuror në këtë sektor, por pa funksion drejtues.
Klodian Braho njihet për një karrierë të gjatë në hetimin e çështjeve të profilit të lartë dhe për përfshirjen në dosje që kanë bërë jehonë, që nga dënimi i ish-prokurorit të përgjithshëm, deri te angazhimi në grupin hetimor që vendosi nën akuzë zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Riorganizimi i ri pritet të ndikojë në forcimin e kapaciteteve hetimore dhe në përshpejtimin e proceseve ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.



