back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetLëvizje surprizë e Metës nga qelia/ “Kam fakte për 21 Janarin”

Lëvizje surprizë e Metës nga qelia/ “Kam fakte për 21 Janarin”

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, aktualisht i ndaluar në burgun 313, ka thirrur sot avokatin e tij Kujtim Cakrani, duke i kërkuar që t’i paraqesë prokurorit të çështjes në SPAK, Alfred Shehu, një kërkesë zyrtare për t’u pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana dhe fakte mbi ngjarjet e 21 Janarit 2011.

Meta, i cili në kohën e ngjarjes mbante detyrën e zëvendëskryeministrit në qeverinë e Sali Berishës, kërkon të japë versionin e tij lidhur me protestën ku armët e Gardës së Republikës vranë katër protestues,Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.

Hetimet e rihapura për një nga ngjarjet më të rënda politike në vend

SPAK ka rihapur zyrtarisht hetimet pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe kritikoi rëndë autoritetet shqiptare për moszbardhjen e së vërtetës. Vendimi detyroi Gjykatën e Lartë që më 12 mars 2024 t’i kërkojë SPAK-ut nisjen e një hetimi të plotë për të përcaktuar përgjegjësitë e funksionarëve të lartë të kohës, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi.

Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza të rënda, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” dhe “Pengim i zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Drejtësia e vjetër gjykoi vetëm gardistët

Fillimisht, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe efektivin Agim Llupo. Të dy u dënuan me dënime minimale, 1 dhe 3 vite burg – dhe prej vitesh janë të lirë. Mirëpo, Strasburgu kritikoi pikërisht këtë trajtim, duke kërkuar hetim të zinxhirit komandues dhe të vendimmarrësve politikë të 2011-s.

Kërkesa e Ilir Metës për t’u marrë në pyetje shihet si një zhvillim i rëndësishëm në proces, jo vetëm për peshën e tij politike në ngjarjet e 21 Janarit, por edhe për faktin se hetimet po zgjerojnë rrethin e personave që mund të japin informacione të vlefshme për zbardhjen e çështjes.

Nuk dihet ende se si do të përgjigjet prokurori i SPAK-ut, Alfred Shehu, por burime pranë hetimit thonë se faza aktuale po fokusohet tek dëshmitarët kyç dhe dokumentacioni i munguar që ka penguar për 13 vite zbardhjen e plotë të ngjarjes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat