Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me ironi ndaj deklaratës së Arben Rakipit, drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe një prej hartuesve të projektkodit penal, i cili është shprehur publikisht se “është model për t’u ndjekur”.
Përmes një postimi, Manjani thekson se nuk e shqetëson deklarata në aspektin etik apo estetik, por fakti se drafti i ri i Kodit Penal, i përgatitur nga Rakipi, rrezikon të kufizojë liritë e qytetarëve.
“Edhe nëse ndjek Arben Rakipin dhe modelin e tij, prapë mund të hysh në burg me kodin penal që ai ka shkruar,” shkruan Manjani, duke shtuar se nëse Parlamenti e miraton dhe Brukseli jep dakordësinë, “shumë ndjekës besnikë të Rakipit mund të humbin lirinë kot fare”.
Ai ndalet edhe te Shkolla e Magjistraturës, duke e cilësuar si një institucion që nuk prodhon profesionistë të lirë në interpretim, por “jeniçerë ligjorë”. Sipas tij, aty nuk lejohet arsyetimi i pavarur, por vetëm zgjidhje të gatshme të diktuara.
“Diktimi nuk është shkollë. Aq më pak shkollë e nivelit të lartë ku duhet të dalin profesionistë. Nga aty dalin jeniçerë. Kështu që duke ndjekur modelin Rakipi bëhesh ose jeniçer juridik ose hyn në burg,” shkruan më tej Manjani.
Ai thekson se nuk ka asgjë personale me Rakipin, por se “produkti publik meriton koment dhe kritikë”.