Ministrja për Çështjet Evropiane e Danimarkës, Marie Bjerre, ka vlerësuar sot përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit gjatë fjalës së saj në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që po zhvillohet në Bruksel.
Bjerre u shpreh se Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha ndër vite, veçanërisht përmes reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe përafrimit me politikën e jashtme të BE-së.
“Ju po jepni rezultate dhe këto meritojnë të njihen,” deklaroi ministrja daneze, duke theksuar se vendi sheh të ardhmen e tij brenda Bashkimit Evropian.
Duke e konsideruar ditën e sotme si “një gur kilometrik” në rrugën drejt integrimit, Bjerre nënvizoi se puna nuk ka përfunduar ende, por progresi i Shqipërisë është i prekshëm.
Si përfaqësuese e Danimarkës, vendi që mban presidencën e radhës së Këshillit të BE-së, ministrja premtoi angazhim maksimal për të avancuar procesin e zgjerimit dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit nga të gjitha vendet kandidate.
“Shqipëri, ju po bëni pikërisht këtë. Vazhdoni me punën e mirë,” përfundoi Bjerre.
Ky moment vlerësohet si një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.