back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetMazhoranca ultimatum opozitës për reformën territoriale

Mazhoranca ultimatum opozitës për reformën territoriale

Partia Socialiste pritet të thërrasë të hënën mbledhjen e radhës të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, mes tensioneve të vazhdueshme me opozitën dhe paralajmërimeve për zhbllokim të procesit edhe pa praninë e saj.

Sipas raportimit nga Konferenca e Kryetarëve, nëse Partia Demokratike merr pjesë në mbledhjen e së hënës, nuk do të ketë ndryshime as në formulën e funksionimit, as në drejtimin dhe as në përbërjen e shumicës së anëtarëve të komisionit.

Por në rast se opozita vijon bojkotin, mazhoranca paralajmëron se do të aktivizojë mekanizmat zhbllokues për të çuar përpara reformën. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ishte i drejtpërdrejtë në mesazhin e tij ndaj deputetëve të opozitës.

“Mbledhja e radhës së komisionit të thirret ditën e hënë. Nëse opozita bojkoton edhe këtë mbledhje, atëherë në seancë plenare do të vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do të bëhet, doni apo s’doni ju”, deklaroi Balla gjatë Konferencës së Kryetarëve.

Debatet u zhvilluan këtë të enjte në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku reforma territoriale ishte një nga pikat më të nxehta të diskutimit.

Më herët, Partia Socialiste i ka drejtuar një shkresë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku ka kërkuar marrjen e shumicës dhe drejtimit të Komisionit për Reformën Territoriale. Në argumentimin e saj, PS thekson se opozita nuk ka pasur pjesëmarrje të rregullt në të paktën katër mbledhje të komisionit, duke bllokuar sipas saj ecurinë normale të punës.

Mazhoranca e konsideron reformën territoriale një proces të domosdoshëm dhe ka bërë të qartë se nuk do të lejojë vonesa të mëtejshme, ndërsa opozita ka shprehur rezervat e saj mbi mënyrën e funksionimit dhe balancën politike brenda komisionit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat