Pas përmbytjeve të shkaktuara nga moti i keq gjatë javës së fundit, ku mijëra hektarë tokë u përfshinë nga uji, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur këtë të shtunë një aksion për pastrimin e kanaleve kulluese të bllokuara nga mbetjet në qytetin e Durrësit.
Sipas autoriteteve, një nga shkaktarët kryesorë të përmbytjeve ka qenë bllokimi i kanaleve kulluese nga plehrat, kryesisht mbetje plastike, të cilat kanë penguar rrjedhjen normale të ujërave.
IKMT bën me dije se ndërhyrjet në terren vijojnë edhe sot, me fokus pastrimin e kanaleve ujëmbledhëse dhe rritjen e sigurisë ndaj rrezikut të përmbytjeve në zonat më problematike të qytetit.
“Edhe sot, puna në terren vazhdon në Durrës, me ndërhyrje për pastrimin e kanaleve ujëmbledhëse dhe rritjen e sigurisë ndaj rrezikut të përmbytjeve. Qëllimi mbetet i njëjtë: të mbrojmë komunitetin dhe të sigurojmë rrjedhje të lirë të ujërave në zonat e prekura”, thuhet në njoftimin e IKMT-së.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga vetë institucioni, shihet qartë se kanalet kulluese ku ka ndërhyrë IKMT janë tërësisht të bllokuara nga plehra, kryesisht plastika, duke konfirmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të ndotjes në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi në menaxhimin e mbetjeve, ndërsa theksojnë se pastrimi i kanaleve është jetik për parandalimin e përmbytjeve, veçanërisht gjatë periudhave me reshje intensive.



