Kryeministri Edi Rama, prej 24 orësh nuk i ndahet SPAK-ut dhe GJKKO-së.
Reagimi i ashpër i tij, ka ardhur pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Prej mëngjesit të një dite më parë, duke vijuar edhe sot, Rama, ka shenjëstruar SPAK-un dhe GJKKO-në.
Duke filluar që nga prokurori i çështjes Olsi Dado tek kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, e më tej te gjyqtarët e GJKKO-së, Rama po përdor të gjitha format për të ushtruar presion ndaj tyre, si institucion.
Të paktën deklaratat e tij dhe gjuha e trupit tregojnë këtë gjë.
Madje-madje po ndjek edhe metodën e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që sulom gjyqtarë e prokurorë në bazë të mesazheve anonime që marrin
Reagimi i fundit fare është bërë paraditen e sotme, ku Rama thotë se nëse SPAK dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavaruar, njëherësh është edhe dështimi i tij dhe i Partisë Socialiste.
“Nëse SPAKU dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur, duke garantuar njëkohësisht standartet demokratike, ky nuk do të ishte thjesht dështimi ynë, i Partisë Socialiste dhe i imi personalisht, që i kemi hyrë këtij deti në këmbë me gatishmërinë që të marrim edhe të gjitha kostot morale e politike, bashkë me baltën e kënetës politiko-mediatike. Ky do të ishte dështimi i madh i Shqipërisë, i cili do t’u jepte “të drejtë” të gjithë atyre që qysh prej 1912 e deri kur ne, Partia Socialiste, nisëm Reformën në Drejtësi, që nuk i hynë asnjëherë këtij deti në këmbë dhe nuk i dhanë kurrë pavarësi drejtësisë”, shkruan Rama në reagimin e fundit.
Më tej ai rikthehet sërish te reforma në drejtësi, për të cilën deri më dje thoshte “më mirë djepin bosh se sa me shejtanin brenda”.
Nëse u referohemi deklaratave të Ramës, Vettingu ka dështuar.
Ende paska “shejtanër” në sistemin e drejtësisë, që i kanë shpëtuar procesit të Vettingut.
Nëse e konsideron të paligjshëm prokurorin Olsi Dadon vetëm thjesht si një noter, atëherë Vettingu vihet në pikëpyetje.
“Këto institucione të reja janë gurë themeli për një kthesë shumë të fortë historike dhe tanimë që pavarësia e tyre është 100% e provuar vetëm idiotët noterikë të Shvejkut dhe ligësirat me dy këmbë të kënetës opozitare mund të thonë akoma që i kontrollojmë ne është detyra jonë të mos lejojmë që mungesa e standarteve dhe abuzimet individuale me pavarësinë, t’i marrin si lumi këta gurë themeltarë, duke e abortuar misionin historik të luftës kundër korrupsionit”, shkruan më tej Rama./ E.S