Në Gjykatën Speciale me seli në Hagë ka nisur sot dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Gjatë fjalës së tij përmbyllëse, avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiç, deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm, duke kundërshtuar argumentet e Prokurorisë së Specializuar, e cila ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve.
“Hashim Thaçi është i pafajshëm”, u shpreh Misetiç në nisje të paraqitjes së tij para trupit gjykues.
Ai theksoi se sipas ligjit, të akuzuarit duhet të prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar, duke shtuar se kjo duhet të jetë pikënisja e gjykatësve në procesin e shqyrtimit të provave dhe marrjes së vendimit.
“Para jush keni katër burra, për të cilët ligji thotë që duhet t’i prezumoni të pafajshëm. Kjo është pikënisja juaj kur të filloni argumentimet për marrjen e vendimit”, deklaroi avokati.
Misetiç argumentoi se provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk përbëjnë interpretimin e vetëm të arsyeshëm dhe se ekzistojnë dyshime të bazuara që, sipas tij, duhet të çojnë në shpalljen e pafajësisë për të gjitha pikat e aktakuzës. Ai shtoi se një vendim fajësie do të përbënte, sipas tij, “padrejtësi ligjore dhe historike”.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, që pritet të zgjasin deri më 18 shkurt, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka në dispozicion tre muaj për të shpallur aktgjykimin.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga fillimi i nëntorit 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Prokuroria e Specializuar pretendon se ata kanë qenë ose është dashur të ishin në dijeni të krimeve të kryera.



