Kandidati i PD në Qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, ka deklaruar se do t’i drejtohet SPAK për të kërkuar transparencë dhe drejtësi për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Në një intervistë për A2 CNN, Kalaja tha se është i detyruar të çojë procesverbalet e 11 majit dhe 4 korrikut në SPAK, pasi nuk ka më besim te institucionet zgjedhore.
“Më kanë detyruar që t’i marr procesverbalet dhe t’i çoj në SPAK. Nuk kam rrugë tjetër. Dua të di sa vota kam marrë realisht”, deklaroi Kalaja në “Ditarin” me Bruna Çifligun.
Ai njoftoi se do të depozitojë dy kallëzime penale: një për hapjen e kutive të votimit për të verifikuar shkeljet dhe një tjetër për Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), për “shpërdorim detyre”, pasi nuk pranoi hapjen e kutive të tjera ku dyshohej për parregullsi.
“KAS-i nuk mund të përcaktojë dot ku është gabim njerëzor dhe ku është krim zgjedhor. Ka numërues që kanë futur duart në votat e qytetarëve. U vërtetua që më janë vjedhur votat.”
Sipas Kalasë, në zgjedhjet e fundit ka pasur kandidatë që janë “rritur artificialisht me vota”, si nga Partia Socialiste, ashtu edhe nga Partia Demokratike.
“Hajduti mbetet hajdut, si i kuq, si blu,” – tha ai, duke akuzuar drejtëpërdrejt persona nga të dy kampet politike.
Kalaja theksoi se rinumërimi në zona të caktuara nxori në pah manipulime të rënda dhe sipas tij, ka pasur mandate që janë ndryshuar nga rinumërimi, siç ndodhi në Fier.
“Si mund të më thonë që unë nuk kam të drejtë të di sa vota kam marrë? Unë do të ezauroj çdo rrugë për të mbrojtur të drejtën time dhe votën e qytetarëve.