Aksioni i ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike po përhapet me ritme të shpejta në mbarë vendin, duke sjellë tronditje në administratat vendore, sidomos në bashkitë e Vlorës, Fierit dhe Durrësit.
Pas shkarkimit të 21 drejtorëve në Vlorë, kryeministri ka zhvilluar takime të tensionuara edhe në Fier dhe Durrës, ku ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtuesve vendorë dhe rajonalë që varen nga këto bashki, përfshirë dhe drejtorët e institucioneve që “nuk kanë përmbushur detyrën”.
Sipas burimeve të brendshme, takimi në Fier ka qenë me tone të forta dhe pa asnjë kompromis, ku Rama është shprehur qartë:
“Ata na kanë vlerësuar me votë, ndaj ky besim duhet përkthyer në respekt ndaj tyre”, – mësohet të ketë thënë ai para drejtuesve të qarkut që në zgjedhjet e 11 majit i dha 12 mandate PS-së.
Fokusi kryesor i paralajmërimit të Ramës ka qenë:
zaptimi i hapësirave publike,
pastërtia e qyteteve,
dhe mospërfillja ndaj qytetarëve.
Në këtë mbledhje morën pjesë drejtues institucionesh rajonale, deputetët e qarqeve përkatëse dhe krerët e bashkive. Largimet pritet të ndodhin në bllok, bazuar në vlerësimin e performancës dhe rezultateve në terren.
Përpara mbërritjes në Fier, Rama e paralajmëroi qartë qëllimin e aksionit përmes një postimi në rrjetet sociale:
“Nevojiten energji të reja dhe një qasje më efikase ndaj sfidave urbane. Hapësirat publike nuk janë pronë private. Kemi marrë besimin e qytetarëve për të vendosur rregull.”
Aksioni nisi fillimisht në Bashkinë e Vlorës, ku u larguan 21 drejtues institucionesh dhe iu dha një ultimatum bizneseve që kishin zënë trotuaret me struktura të jashtëligjshme: ose i heqin vetë, ose i heq shteti.
Ky aksion i paralajmëruar si i gjithëpërfshirës dhe i pandalshëm, pritet të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit, duke testuar seriozitetin e administratës vendore dhe gatishmërinë për t’u përshtatur me ritmin e qeverisë qendrore.



