Juristi Kreshnik Spahiu ka analizuar deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e cilësoi ngjarjen e 21 Janarit si një krim shtetëror pa dashje.
Sipas Spahiut, deklarata e Berishës nuk ishte rastësore, por e përgatitur me kujdes dhe me asistencë nga ekspertë juridikë. Kjo përgjigje vjen pak ditë pas njoftimit të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili tha se dosja e 21 Janarit është ende në fazën paraprake të hetimit.
“Berisha ka përdorur këtë formulim për t’i dhënë një mesazh prokurorëve të SPAK-ut,” tha Spahiu, duke shpjeguar se ish-kryedemokrati ka zgjedhur të fokusohet vetëm në çështjen e vrasjeve, pasi akuzat për pengim hetimesh janë tashmë të parashkruara.
Juristi theksoi se ndërsa vrasja nuk ka afat parashkrimi, akuzat për pengim hetimi kanë kaluar afatin 10-vjeçar, duke pamundësuar ndjekjen penale të këtyre veprave, pavarësisht nëse gjenden prova të reja.
“Berisha ka dhënë një përgjigje të studiuar që krijon barriera për SPAK-un, duke i bërë me dije se hetimet për vrasjet do të jenë të vështira, ndërsa për pengimin e hetimeve nuk mund të ketë më përgjegjësi penale,” shtoi Spahiu, në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV
Kjo deklaratë rikthen në fokus vonesat dhe sfidat e drejtësisë shqiptare në zbardhjen e ngjarjeve tragjike të 21 Janarit të vitit 2011, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet mbi këtë çështje.