Në një telefonatë të drejtpërdrejtë për avokatin Kujtim Cakrani, transmetuar në MCN, ish-presidenti Ilir Meta komentoi zhvillimet më të fundit në hetimet që po kryen SPAK ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Meta mohoi kategorikisht të ketë përdorur ndonjëherë karta bankare, duke e quajtur një shpifje të shpërndarë nga “gazetarët e SPAK-ut”.
“Unë në jetën time kurrë s’kam pasur kartë. Vendet që përmenden si Beverly Hills apo Las Vegas, as kam qenë, as kam ndërmend të shkoj. Më pëlqen Prevalla,” – tha Meta.
Meta nuk mohoi që kartat mund të jenë përdorur nga Kryemadhi, por theksoi se kjo mbetet një përgjegjësi personale.
“Nuk e di sa karta ka pasur znj. Kryemadhi. Ajo ka pasur shumë pasuri, edhe për shkak të një pallati me nënën e saj. Nëse janë të vërteta, janë të papranueshme dhe të rënda për një politikane me përvojë.”
Duke iu referuar çështjes së lobimit të LSI-së në SHBA, Meta akuzoi SPAK-un për mungesë transparence dhe mbrojtje selektive.
“SPAK-u nuk tregon kujt personi në LSI ia ka çuar kompania faturat. Nëse vërtet janë bërë pagesa që nuk janë depozituar në KQZ, kemi të bëjmë me vepra penale, por ato janë kryer nga të tjerë,” – tha Meta, duke shtuar se nuk do ta kishte lejuar një veprim të tillë nëse do ta dinte.
I pyetur nëse është penduar për qëndrimin e tij kritik dhe shpesh agresiv ndaj SPAK, Meta u shpreh se retorika e tij ka qenë e moderuar.
“SPAK është kthyer në një instrument për shkatërrimin e demokracisë. Arrestimi im u bë për të trembur shqiptarët. Veliaj u arrestua ndryshe, unë ndryshe,” – tha ai.
Ilir Meta mohoi çdo mundësi të arratisjes nga vendi dhe deklaroi se rikthimi i tij në jetën publike është i padiskutueshëm, duke e konsideruar veten si pjesë të brezit të Dhjetorit.
“Unë s’jam në burg. Unë të arratisem nga këta legena? Nuk arratiset njeriu se mbron Shqipërinë. Është çështje durimi. Ne kemi të vërtetën, ata kanë vetëm paratë e inceneratorëve dhe propagandën.”
Meta përmendi sërish lidhjen e kryeministrit Edi Rama me ish-agjentin amerikan McGonigal dhe theksoi se ai vetë nuk ndikohet dhe nuk shantazhohet, duke ironizuar trajnimet politike të kundërshtarëve të tij.
“Mua më ka trajnuar Bob-i, jo McGonigal. Ata fusin njerëz për të krijuar prova. Këta i ka trajnuar McGonigal. Kjo çështje do rihapet.”