Pas komunikimit zyrtar të aktakuzës ndaj ish-presidentit Ilir Meta për çështjet CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së, avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka dalë me një reagim për mediat nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Cakrani deklaroi se aktakuza nuk solli asnjë fakt të ri dhe akuzat ndaj Metës janë të pambështetura nga prova konkrete. Ai theksoi se mbrojtja ka kërkuar prej kohësh të zbulohet kush ka bërë pagesat për lobimin në emër të LSI-së, por prokuroria ende nuk ka dhënë përgjigje për këtë kërkesë.
“Nuk ka asnjë gjë të re për çështjen CEZ-DIA apo për lobimin. Zoti Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe ka kërkuar hetime të thelluara për të zbuluar kush ka kryer pagesat. Ata nuk kanë asnjë informacion për këtë,” u shpreh avokati.
Ai shtoi se çështja CEZ-DIA është hetuar prej vitesh dhe përmbledhja e saj në aktakuzë është e reduktuar në vetëm 30 faqe, ndërkohë që mbrojtja disponon rreth 60 mijë faqe dokumente dhe prova që dëshmojnë se Meta nuk ka pasuri të paligjshme apo lidhje me korrupsionin.
“Meta ka zero korrupsion dhe zero pasuri të vendosura nga korrupsioni,” deklaroi Cakrani, duke përmendur edhe verifikimet e kryera në banka dhe institucione financiare në BE, ku rezultatet kanë rezultuar të pastra.
Avokati konfirmoi se do të vazhdojnë ndjekjen e çështjes në rrugë gjyqësore dhe se seanca e sotme kaloi në një atmosferë të qetë, pavarësisht natyrës së akuzave.
“Nga ana ligjore do të ndjekim çdo procedurë të rregullt. Por ky është një proces i ngarkuar politikisht,” përfundoi Cakrani.