Institucione të drejtësisë nga rajoni u mblodhën sot, 25 shtator, në Tiranë për konferencën “Shërbimet e inspektimit të drejtësisë dhe sfidat e integrimit”, një forum për shkëmbimin e përvojave, trajtimin e sfidave të integritetit gjyqësor dhe diskutimin mbi rolin e tyre në procesin e integrimit të vendeve në Bashkimin Evropian.
Konferenca organizohet në bashkëpunim mes Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Prezencës së OSBE-së në Tiranë, si dhe misioneve të OSBE-së në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë dhe Shkup.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit, diskutimet do të fokusohen mbi tre tema kryesore: parimet dhe funksionimi i shërbimeve të inspektimit, roli i tyre në promovimin e standardeve demokratike dhe integritetit, si dhe kontributi i këtyre institucioneve në procesin e integrimit në BE.
Në nisje të punimeve, konferencën përshëndetën: ambasadori Michel Tarran, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Mauro Puzzo nga OSBE, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani.
Inspektori Metani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përmirësimin e standardeve profesionale në inspektimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke nënvizuar se ILD është institucioni i vetëm i pavarur që verifikon ankesat, heton shkeljet disiplinore dhe kontrollon funksionimin e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë.
Ai shtoi se pavarësia dhe përgjegjshmëria e magjistratëve janë elemente thelbësore për një drejtësi efikase dhe besueshmëri publike, si dhe për avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Metani theksoi gjithashtu sfidat e integrimit të Shqipërisë, duke kërkuar balancim të kujdesshëm midis interesit publik dhe autonomisë së magjistratëve.
“Ky aktivitet rajonal na mundëson të ndajmë përvoja, të diskutojmë modelet më të mira dhe të bashkërendojmë metodat e kontrollit dhe vlerësimit të institucioneve të drejtësisë në përputhje me vlerat tona evropiane,” tha Metani, duke e konsideruar konferencën si pikënisje të një tradite të qëndrueshme bashkëpunimi rajonal.
Konferenca do të vazhdojë edhe më 26 shtator, duke sjellë përfaqësues nga Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi dhe Tirana, për të diskutuar mbi përvojat, sfidat dhe perspektivat e inspektimit të drejtësisë në kontekstin e integrimit europian.