Duhet të çrrënjosim mentalitetin kriminal nga pushteti gjyqësor – nuk kemi çfarë shpikim ujin e nxehtë, por vetëm të punojmë fort. Ishte i ashpër kryeministri Mickoski në intervistën e realizuar në kuadër të Këshillit Atlantik, duke theksuar se duhet t’i jepet fund emërimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga politikanët e kriminalizuar.
“Ne po i luftojmë ata dhe po i luftojmë me vendosmëri. Ne kemi ligje brilante të shkruara në letër, por problemi është zbatimi. Dhe kush është përgjegjës për zbatimin e tyre? Prokurorët dhe gjyqtarët. Si bëhen ata prokurorë dhe gjyqtarë? Fatkeqësisht, ata emërohen nga ata që janë kriminelë politikë. Prioriteti ynë i parë është ndryshimi i mentalitetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në mënyrë që ata të marrin vendime në bazë të legjislacionit dhe Kushtetutës – jo në bazë të kërkesave të politikanëve që i kanë emëruar”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Sa i përket mënyrës për mbërritjen e kësaj reforme, Miskoski tha se raporti i vlerësimit nga Komisioni Evropian është i qartë dhe i mjaftueshëm për të siguruar një rifreskim të radhëve të prokurorëve e gjyqtarëve, ndërsa hoqi paralelet me punën e mirë që po bëjnë njerëzit e tij nëpër komuna, që deri më sot, si rrallëherë në Ballkan, nuk janë përfshirë në afera korruptive.
“Ka një raport vlerësimi i shkruar nga ekspertët e BE-së që nënvizon gjithçka. Ajo çfarë duhet të bëjmë, është vetëm ta zbatojmë atë dhe, së dyti, të sigurojmë që ne vetë të qëndrojmë larg korrupsionit. Për shembull, qeveria jonë është në detyrë për gati 8 muaj, dhe nuk ka pasur asnjë akuzë të vetme për krim apo korrupsion – diçka e rrallë në Ballkan. Kryetarët tanë të komunave tashmë janë në vitin e katërt të mandatit të tyre dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk është ngritur asnjë akuzë për krim apo korrupsion ndaj tyre. Duke dhënë një shembull personal, ne dërgojmë një mesazh të qartë: Qëndroni larg krimit dhe korrupsionit”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kreu i qeverisë u shpalli luftë të hapur dy këshillave të prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend, pas një sërë skandalesh që dolën në pah me mitmarrje, por deri edhe te ndikimi i ish zv/kryeministrit Artan Grubi me gjyqtarin Enver Bexheti, për vjetërsimin e lëndëve të ish kreut të shërbimit sekret Sasho Mijallkov, që rezultoi me shpalljen e dy të të përfshirëve në listën e zezë të Departamentit Amerikan. Në procedurë është edhe propozimi i Ministrisë së Drejtësisë, në emër të qeverisë, për shkarkimin e kryeprokurorit publik Kocevski. Ndërkaq, ashtu sikuse kanë raportuar mediat, sistemi gjyqësor është bërë çerdhe edhe e punësimit të familjarëve të politikës. Aktualisht, besimi ndaj gjyqësorit në vend është 2%.