Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur për konsultim publik projektligjin e ri “Për sektorin e energjisë elektrike”, me qëllim përafrimin me Paketën për Energjinë e Pastër të Bashkimit Evropian. Ky projekt parashikon reforma të thella në tregun e energjisë, duke vendosur konsumatorin në qendër të sistemit dhe duke përmirësuar konkurrencën dhe transparencën në sektor.
Sipas relacionit shoqërues, ligji aktual nuk i përmbush më nevojat e tregut modern, pasi mungojnë stimujt për investime në prodhimin decentralizuar, ka pengesa për tregtinë ndërkufitare dhe mungon një kornizë e mirë për mbrojtjen e konsumatorëve.
Drafti synon të sigurojë çmime të përballueshme dhe të qarta për qytetarët, një furnizim të qëndrueshëm dhe një tranzicion të qetë drejt një sistemi energjetik me emetime të ulëta karboni. Reforma do të mbështesë modele të reja biznesi, si ndarja direkte e energjisë mes qytetarëve, pjesëmarrjen e agregatorëve, si dhe futjen e teknologjive të matjes inteligjente.
Një tjetër element i rëndësishëm është përfshirja e komuniteteve të energjisë dhe operatorëve të depozitimit në treg, duke krijuar një sistem të brendshëm energjetik më të ndërlidhur dhe konkurrues. Projektligji garanton gjithashtu mbrojtje të veçantë për klientët në nevojë përmes çmimeve të rregulluara.
Me këtë iniciativë, Shqipëria synon të avancojë në rrugën drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe me karbon të ulët, në përputhje me angazhimet e saj në marrëveshjet ndërkombëtare dhe standardet e BE-së. Drafti është në fazën e konsultimeve dhe pritet të kalojë për miratim në Qeveri në ditët në vijim.