Policia e Tiranës ka arrestuar 21 persona, mes tyre edhe 4 të mitur 17-vjeçarë, në lidhje me dhunën e shfaqur gjatë protestës së opozitës të zhvilluar një natë më parë në kryeqytet. Gjatë përplasjes me forcat e rendit janë hedhur molotovë, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të policisë dhe institucioneve shtetërore, duke lënë të plagosur 16 efektivë.
Sipas njoftimit zyrtar, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasit: Kreshnik Çeço, Klodian Bajrami, Leonid Tusha, Klejdi Subashi, Suzana Dimushi, Ramazan Nuhu, Florian Nuhu, Daniel Zeka, Andrea Kulla, Fabiol Ahmeti, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Artur Kadria dhe Arbri Ujkaj, si dhe katër të mitur 17 vjeç.
Ata akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Ndërkohë, materialet iu referuan Prokurorisë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Po ashtu, procedim në gjendje të lirë nisi edhe për E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”. Për të njëjtat akuza, si dhe për “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, u proceduan edhe shtetasit B. K., K. B., L. B. dhe F. N., të identifikuar si anëtarë të Partisë Demokratike. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi L. P., 41 vjeç, dhe po punohet për kapjen e tij.
Sipas Policisë, protestuesit u mblodhën fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, dhe më pas u zhvendosën drejt Kuvendit. Gjatë gjithë kohës së tubimit, ata hodhën lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinave të institucioneve publike.
Si pasojë e sulmeve, 16 punonjës policie morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse, benzinë, të gjetura pranë godinës së Kuvendit. Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë.



