back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 3 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetSocialeMot ekstrem në vend/ Durrësi nën ujë, familje të evakuuara

Mot ekstrem në vend/ Durrësi nën ujë, familje të evakuuara

Reshje të dendura shiu me intensitet të lartë kanë përfshirë disa qytete të vendit, duke shkaktuar përmbytje të rrugëve dhe probleme serioze në qarkullim. Situata më problematike paraqitet në Durrës, ku disa akse rrugore janë mbuluar nga uji dhe janë bërë tërësisht të pakalueshme, duke paralizuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Për shkak të kushteve të vështira të motit dhe pamundësisë për qarkullim normal, autoritetet kanë vendosur mbylljen e shkollave në qytet. Ndërkohë, një familje nga zona e ish-Kënetës është evakuuar dhe është strehuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në plazhin e Durrësit, pasi banesa e tyre është përmbytur.

Si pasojë e rritjes së prurjeve ujore, në kaskadën e Drinit kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deri më tani nuk është evidentuar asnjë problematikë, ndërsa KESH po monitoron dhe menaxhon situatën.

Edhe në Lezhë, reshjet e shumta gjatë natës kanë sjellë përmbytje në disa zona të qytetit. Për këtë arsye, është pezulluar procesi mësimor në shkollat 9-vjeçare “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”.

Policia e Shtetit ka reaguar me një njoftim zyrtar, duke informuar për problematikat në qarkullimin rrugor dhe duke rekomanduar devijime të lëvizjes për të shmangur zonat e përmbytura. Sipas policisë, automjetet që vijnë nga jugu drejt Tiranës duhet të qarkullojnë nga Rruga e Plepave në drejtim të Ndroqit, si dhe nga aksi Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë.

Ndërsa për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit në drejtim të Spitallës, si dhe nga aksi Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat