Lajmi i papritur për vdekjen e parakohshme të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi ka tronditur botën e artit dhe publikun shqiptar. Artisti, i cili për më shumë se dy dekada ishte një ndër emrat më të dashur të muzikës moderne, ka lënë një boshllëk të madh në skenën shqiptare.
Kolegët dhe miqtë kanë shprehur dhimbjen e tyre të thellë për humbjen e tij, duke kujtuar energjinë pozitive, buzëqeshjen dhe karakterin fisnik të Kasapit.
Ndër të parët që reaguan ishte këngëtarja Vesa Luma, e prekur nga lajmi i rëndë:
“Na trishtove shumë Shpat… Ishe një nga njerëzit më të mirë e më pozitiv që kam njohur. Një djalë fisnik e plot jetë, ashtu siç ishin edhe këngët e tua që rritën një brez të tërë. Dritë pastë shpirti yt. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve.”
Edhe moderatorja dhe producentja e njohur Arbana Osmani kujtoi me emocion bashkëpunimet me Shpatin gjatë viteve të Top Fest:
“Shumë i dhimbshëm lajmi për largimin nga jeta të Shpat Kasapit, me të cilin pata fatin të punoj më shumë se 20 vite më parë dhe ta ftoj në skenë me dhjetëra herë. Faleminderit për muzikën, energjinë dhe buzëqeshjet e pakursyera që na ke dhuruar.”
Shpat Kasapi ishte një nga zërat më karakteristikë të skenës shqiptare dhe një artist që la gjurmë në muzikën e brezit të tij. Këngët e tij u kthyen në hite dhe e shoqëruan publikun në periudha të ndryshme të jetës së tyre.
Ndarja e tij nga jeta ka sjellë trishtim dhe pikëllim të thellë në komunitetin artistik dhe tek mijëra fansa që janë rritur me muzikën e tij.



