Partia e Lirisë, ashtu siç kishte paralajmëruar zhvilloi një tubim para Prokurorisë së Posaçme këtë të premte, si shenjë proteste për burgosjen e ish-presidentit Ilir Meta, ku u mblodhën disa dhjetëra simpatizantë.
Qytetarët u mblodhën para godinës me disa pankarta ku shkruhej “Ndal burgimeve politike”.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përcolli një mesazh nga qelia i cili u lexua nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja.
Ndërsa Sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzoi SPAK si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.
Ai akuzoi Dumanin si mercenar më të verbër të rilindjes, që sipas tij ka mision persekutimin politik të opozitës.
“Jemi këtu jo për të kërkuar drejtësi, por për të denoncuar tradhtinë e lartë që ky institucion me vullnet dhe këmbëngulje duke ecur në rrugët e Esat Toptanit, të Edi Ramës, të Soros dhe të McGonigal ka bërë kundër interesit qytetar, kundër interesit kombëtar dhe kundër Shqipërisë.
Jemi sot këtu për një mision historik, patriotik dhe kombëtar për të nisur procesin e pandalshëm dhe të domosdoshëm të dezsorfikimit të drejtësisë.
Ky institucion me veprimtari antikushtetuese e ka vrarë besimin e qytetarëve të thjeshtë tek drejtësia dhe funksionimi i shtetit ligjor duke iu bërë njësh me mafien në pushtet, duke i shërbyer verbërisht këtij narko regjimi për t’i garantuar dhunshëm edhe një mandat tjetër katër vjeçar në kurriz të shqiptarëve.
Ne jemi sot këtu sepse SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë dhe të ndershëm patriotë për barazi para ligjit. Para këtij institucioni që prodhon vetëm padrejtësi, antiligjor dhe përndjekje politike të opozitës.
Është bunkeri i fundit i narkoqeverisë që po mbron korrupsionin skizofrenik të Ramës dhe Rilindjes për të mos u dënuar dhe ndëshkuar. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral, duke qenë shërbëtori më i zellshëm i Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve, duke mbyllur dosjet e Dibrës, Shijakut dhe Elbasanit. SPAK është mbrojtësi i vetëm i krimit ekonomik shtetëror.
SPAK është bunkeri i fundit për Ramën dhe Veliajn, aferat e të cilëve si në rastin e grabitjes me inceneratorin, janë të dokumentuara me mijëra dokumente, por Dumani as guxon t’u përmend emrin për këto që ai i cilëson si krime intelektuale por që në fakt janë grabitje e qindra milionë eurove.
SPAK është i provuar se është institucion mashtrues, montues procese të rreme, me zero fakte penale, dokumente dhe zero prova ndaj liderëve kryesorë të opozitës vetëm për llogari të narkomafies kombëtare.
Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, i lirive dhe dinjitetit njerëzor. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës përmes proceseve hetimore të montuara,. Rrëmbimi i paligjshëm dhe kriminal i bërë nga SPAK dhe narkopolicia i Metës, provoi se vetëm dhuna, arbitrariteti dhe antiligji, shkelja e kushtetutës, janë shtyllat ku mbështetet sot aktiviteti i kësaj organizate kriminale që quhet SPAK.
Është kthyer në pistoletë në duart e Ramës për të vrarë opozitarizmin dhe demokracinë në vend. Izolimi me masë ekstreme ndaj Metës. Altin Dumani, ky mercenar i Ramës, mori përsipër të rihapë për herë të tretë çështjen Cez-dia që ishte gjykuar disa herë“, tha Blushi.