Demokrati dhe mjeku i njohur, Ilir Alimehmeti, ishte i ftuar në emisionin “Off the Record”, ku komentoi kabinetin e ri qeveritar të prezantuar nga kryeministri të mërkurën në mesditë.
Alimehmeti u shpreh se nga qeveria e re nuk priste asnjë surprizë, pasi sipas tij, të gjitha vendimet merren drejtpërdrejt nga Edi Rama.
“Pak rëndësi ka kush emër është ministër, Rama i komandon të gjitha. Pastaj janë dhe zëvendësit. Edhe me ligjin e ri, firmat i hedhin drejtorët. Pamë dhe reagimet që askush nuk dinte asgjë. Vota politike ka rënë. Gjysma e ministrave duhet ta dinin ku ishin. Ky është një format ‘bëje mirë, bëje vetë’,” tha ai.
Kandidatura për Tiranën
I pyetur mbi zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës dhe mundësinë që të jetë kandidati i opozitës përballë Ogerta Manastirliut, e shpallur sot nga kryeministri si kandidate e PS-së, Alimehmeti theksoi se çdo vendim do të diskutohet brenda forumeve të PD-së.
Ai kritikoi procesin e ndjekur për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj pas vendimit të gjykatës:
“Kryeministri e la Tiranën në ilegjitimitet dhe nuk e shkarkoi një kryetar bashkie që u fut në burg, kështu e ka ligji. Ai i dha urdhër Këshillit Bashkiak që të nisë procedurat. Ligjin duhet ta interpretojë gjykata. Këshilli Bashkiak propozon, nuk e bëri sepse priste ‘ok’ e Ramës. Çfarë i ndryshoi Ramës sot që e shkarkoi? Ndryshoi ndonjë akuzë? Erdhi ndokush nga jashtë?”
Alimehmeti nënvizoi se nuk ka ndërmend të bëjë deklarata për kandidimin e tij pa u konsultuar më parë brenda strukturave të partisë:
“Do flasim dhe ne brenda për brenda. Do kemi dhe ne forumet tona ku do të diskutojmë. Unë nuk flas asgjë përpara se të diskutoj në shtëpi. Besoj se dhe Berisha është me këtë qëndrim. Unë nuk punoj për lajme.”