Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti të dielën një ofensivë të re ushtarake në Gaza, e cila është më gjithëpërfshirëse sesa ishte njoftuar më parë, duke deklaruar përballë dënimeve në rritje brenda dhe jashtë vendit se Izraeli “nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ta përfundojë punën dhe të çojë në disfatë Hamasin”.
Edhe pse gjithnjë e më shumë izraelitë shprehin shqetësim për luftën 22-mujore, Netanyahu deklaroi se Kabineti i Sigurisë, javën e kaluar, ka udhëzuar çmontimin e fortifikimeve të Hamasit jo vetëm në Qytetin e Gazës, por edhe në kampet e Muwasit dhe Deir al-Balah.
Një burim i njohur me operacionin, i cili foli në kushte anonimiteti, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me median, konfirmoi se Izraeli e planifikon ofensivën në të dyja zonat.
Kampet e mbipopulluara që strehojnë mbi gjysmë milioni të zhvendosur, sipas OKB-së nuk kishin qenë pjesë e njoftimit të Izraelit të premten. Nuk ishte e qartë pse, megjithëse Netanyahu u kritikua këtë fundjavë brenda koalicionit të tij qeverisës se shënjestrimi i vetëm i Qytetit të Gazës nuk ishte i mjaftueshëm.
Netanyahu theksoi se do të ketë “zona të sigurta”, por zona të tilla të shpallura më parë janë bombarduar në të kaluarën. Zyra e tij njoftoi të dielën vonë se ai kishte folur me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për planin dhe e falënderoi për “mbështetjen e tij të palëkundur”.
Duke hedhur poshtë pretendimet për uri në Gaza, si dhe atë që e cilësoi si një “fushatë globale gënjeshtrash”, Netanyahu iu drejtua mediave të huaja pak para një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një platformë për zemërim, por me pak veprime konkrete kundër luftës.
“Qëllimi ynë nuk është të pushtojmë Gazën; qëllimi ynë është ta çlirojmë atë”, deklaroi ai.
Netanyahu tha se ka një “axhendë kohore relativisht të shkurtër” për hapat e mëtejshëm, por nuk dha detaje specifike. Synimet, sipas tij, përfshijnë demilitarizimin e territorit, vendosjen e kontrollit dominues të sigurisë nga ushtria izraelite dhe krijimin e një administrate civile jo-izraelite në krye.
Ai shtoi se Izraeli synon të rrisë numrin e pikave për shpërndarjen e ndihmave në Gaza, por në një deklaratë për mediat lokale më vonë tha: “Nuk ka uri. Nuk ka pasur uri. Ka pasur mungesa, por sigurisht që nuk ka pasur politikë të urisë.”
Gjithashtu, Netanyahu bëri të ditur se ka udhëzuar ushtrinë izraelite të “sjellë më shumë gazetarë të huaj”, një zhvillim i pazakontë, duke qenë se gazetarët nuk janë lejuar të hyjnë në Gaza përveç në bazat ushtarake gjatë gjithë kohës së luftës.
Ai përsëriti se faji për shumë nga vuajtjet në Gaza i takon grupit militant Hamas, duke përfshirë vdekjet e civilëve, shkatërrimet dhe mungesën e ndihmës. “Hamasi ende ka mijëra terroristë të armatosur”, pohoi Netanyahu, duke shtuar se palestinezët po “luten” të çlirohen prej tyre.