Shkrimtarja dhe akademikja e njohur shqiptare, Lea Ypi, ka rikthyer sërish debat publik gjatë vizitës së saj në Shqipëri. Këtë herë, përtej deklaratave apo qëndrimeve publike, ka qenë vetë prania e saj në hapësirat publike të Tiranës që ka nxitur diskutime të shumta në media dhe rrjete sociale.
Debati u intensifikua pasi emri i Ypit u përfol si një opsion i mundshëm për kryeministre të një qeverie teknike në të ardhmen. Lidhur me këtë hipotezë reagoi edhe kreu i opozitës, Sali Berisha, i cili nuk e përjashtoi publikisht si mundësi, duke i dhënë më shumë jehonë spekulimeve.
Pas gjithë polemikave, Lea Ypi ka reaguar me një postim të gjatë në Facebook, ku reflekton mbi përvojën e saj në Shqipëri, sulmet mediatike dhe reagimet publike, por edhe mbi takimet me qytetarë dhe lexues.
Në reagimin e saj, Ypi shprehet se “llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike e sociale” ia ka lënë Shqipërisë në derë, ndërsa me vete merr emocionet e takimeve me njerëz realë, lexues të brezave dhe bindjeve të ndryshme.
Ajo kritikon ashpër atë që e cilëson si “hiç dixhital e mediatik”, duke theksuar se sulmet online shpesh shërbejnë për të mbushur boshllëqe personale dhe varfëri mendimi. Në të kundërt, Ypi vlerëson guximin e të rinjve dhe qytetarëve që, sipas saj, përballen hapur, pa maska dhe pseudonime, për të diskutuar mbi artin, historinë dhe të ardhmen e shoqërisë.
Në fund të mesazhit, shkrimtarja përdor një metaforë filozofike, duke e krahasuar botën me “labirintin e minotaurit”, ku shpëtimi vjen vetëm përmes bashkimit dhe rigjetjes së kuptimit të të qenit njeri.
“Faleminderit të gjithë atyre që në këtë skutën shqiptare të labirintit shtrënguan dorën time”, përfundon Ypi mesazhin e saj, duke mbyllur vizitën në Shqipëri me një ton reflektues dhe kritik ndaj realitetit publik.



