Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka ngritur një diktaturë autoritare të mbështetur mbi miliarda euro nga trafiku i drogës dhe lidhjet me kartelet kriminale. Në një deklaratë publike, ai theksoi se “forca lëvizëse” e këtij regjimi nuk është ideologjia, por krimi dhe droga.
“Pra, diktatura autoritare shqiptare, përveç kontrollit të votës dhe të hapësirës informative, ka një forcë tjetër shkatërrimtare: miliardat e drogës në duart e karteleve dhe kriminelëve. Dhe padrino i kësaj fuqie është Edi Rama,” – tha Berisha.
Ai përmendi rastin e biznesmenit Franç Çopja, i cilësuar nga opozita si i lidhur me kartelin e drogës, duke theksuar se ky zotëron miliarda euro pa punuar ndonjëherë ndershëm. “Imagjinoni, një njeri që nuk ia kishim dëgjuar emrin, dhe del me 6 miliardë euro. Ky është gati t’i falë Ramës 5 miliardë, mjafton të investojë 1 miliard. Kjo është fuqia e drogës që ka kapur shtetin,” – u shpreh Berisha.
Sipas tij, droga është ajo që përcakton fatin e funksioneve kryesore të shtetit:
“Është droga që emëron ministra, prokurorë, deputetë, drejtues policie. Pas çdo kulle e ndërtese që shihni në Shqipëri, janë qindra milionë euro të drogës.”
Berisha akuzoi qeverinë Rama se ka falur 38 mijë metër katrorë tokë publike në zonën e Niko Dovanës në Durrës kartelit Troplini, për ngritjen e pesë kullave dhe 12 ndërtimeve të tjera.
Ai paralajmëroi se pushteti i drogës është kthyer në misterin dhe forcën kryesore korruptive të kësaj “diktature moderne”. Megjithatë, Berisha theksoi se opozita ka arritur ta pasqyrojë këtë realitet edhe në dokumente ndërkombëtare.
“Ne i jemi mirënjohës të gjithë atyre që votuan rezolutat ndërkombëtare, nga Valencia e më tej, ku u paralajmërua se Shqipëria po shkon drejt farsës elektorale. Dhe kjo farsë nuk ka tjetër mbështetje, veçse fuqinë e drogës dhe miliardat e saj,” – tha ai.