Një valë e re protestash ka shpërthyer në Shtetet e Bashkuara kundër Presidentit Donald Trump, me qindra mijëra qytetarë që kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj drejtimit politik të administratës së tij.
Të shtunën, New York City ishte epiqendra e demonstratave, ku mijëra protestues mbushën Times Square në një aktivitet të organizuar nga grupi “No Kings”, një koalicion organizatash me prirje të majta që thonë se po kundërshtojnë “autoritarizmin” e Trump.
Kjo është vetëm një nga mbi 2,500 protestat të planifikuara në të gjithë SHBA-në, të cilat sipas organizatorëve do të zhvillohen gjatë gjithë ditës në qytete të mëdha si Washington DC, Los Angeles, Chicago dhe Boston.
Në kryeqytet, senatori Bernie Sanders pritet të jetë një nga folësit kryesorë në tubimin që do të nisë në mesditë sipas orës lokale, duke bërë thirrje për “unitet kombëtar dhe mbrojtje të demokracisë”.
Në demonstratat e mëparshme të qershorit, të organizuara nën të njëjtin flamur, morën pjesë mbi pesë milionë njerëz, ndërsa protestat u vlerësuan si paqësore dhe të organizuara mirë.
Ndërkohë, guvernatorë republikanë në disa shtete kanë vendosur trupa të Gardës Kombëtare në gatishmëri, por deri më tani nuk është raportuar për incidente serioze. Prania ushtarake mbetet e kufizuar dhe e kujdesshme, për të shmangur tensione me qytetarët.
Protestat kanë kaluar edhe kufijtë e SHBA-së: në Berlin, Madrid dhe Romë, qytetarë europianë janë bashkuar në shenja solidariteti me homologët e tyre amerikanë, duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Demokracia nuk ka mbretër” dhe “Askush mbi ligjin”.
Organizatorët e koalicionit “No Kings” theksojnë se qëllimi i protestës është “të sfidohet çdo përpjekje për autoritarizëm dhe cenim të lirive demokratike”, duke theksuar se lëvizja do të vazhdojë edhe në javët e ardhshme.