back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 1 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Nuk luftohet korrupsioni me njerëz të korruptuar"/ Hoxha: Duhet vetting brenda PD-së

“Nuk luftohet korrupsioni me njerëz të korruptuar”/ Hoxha: Duhet vetting brenda PD-së

Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si po organizohet protesta e demokratëve, e quajtur “Foltore”, para Kryeministrisë. Në një intervistë për “Shtypi i ditës dhe ju” në Report TV, ai theksoi se PD duhet të marrë rol më aktiv dhe më organizues në rrugë.

“Oferta politike përcakton vijat. PD duhet t’i prijë protestave në rrugë. Organizimi vetëm me Foltore është i pamjaftueshëm. Duhet mobilizim i njerëzve, sepse një qeverisje e kapur në vjedhje nuk ka më autoritet për të vazhduar,” tha Hoxha, duke e cilësuar lëvizjen e opozitës “të vonuar”.

Ai shtoi se mungesa e reagimit të fortë publik ka krijuar apati sociale:
“Reagimi është gjëja më demokratike që një shoqëri ka. Nëse nuk ka shpresë nga protestat, njerëzit bien në apati.”

Dy propozime për Këshillin Kombëtar të PD-së

Hoxha paralajmëroi se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar të PD-së do të paraqesë dy propozime konkrete.

Vetting brenda PD-së për ata që punojnë me Soros dhe Vetting për integritetin e figurave, sidomos ndaj atyre që kanë lidhje me tendera apo qeverinë.

“Nuk mund të kesh përfaqësues të lartë të PD që janë të besuarit e Soros. Nuk ka sens që dikush që thotë se është i djathtë të jetë pjesë e fondacionit të tij,” tha ai, duke sqaruar se qëllimi nuk është të goditet askush personalisht, por të vendoset standard.

Integriteti i figurave politike

Hoxha ngriti shqetësimin se nëse një figurë si Lulzim Basha ka qenë e korruptuar apo e lidhur me qeverinë, “ka mundësi që të ketë korruptuar të tjerë”.

“Njerëzit e lidhur me tendera, me qeverinë përmes familjarëve, janë të papërshtatshëm për të pasur poste në PD. Nuk mund të luftosh një sistem të korruptuar me njerëz të korruptuar,” deklaroi ai.

“PD duhet të bëhet ofertë politike serioze”.

Sipas tij, opozita duhet të jetë një alternativë e besueshme për qytetarët:

“Opozita duhet të vendosë standarde integriteti. Nëse duam të përmirësojmë këtë vend, duhet të jemi ofertë politike me njerëzit më të mirë. Duhet ndryshim rrënjësor brenda PD, që të jetë në lartësinë e nevojës që ka vendi sot.”

Me këto deklarata, Lisandër Hoxha i shton presionin lidershipit demokrat për reforma të brendshme dhe strategji më të fortë opozitare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat