Pas dorëheqjes së Maldrita Bardhos nga marrja e mandatit si deputete e PS-së në qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi ka reaguar përmes një mesazhi publik, duke falënderuar kolegen e saj për “vendimin fisnik dhe befasues”, ndërsa nuk ka kursyer as ironinë ndaj kundërshtarëve politikë.
Çaushi humbi mandatin me vetëm 10 vota më pak në procesin e rinumërimit, por Bardho vendosi të mos e marrë vendin në Kuvend, duke e lënë atë në dorën e Zegjines, me argumentin se ajo “e kishte merituar më shumë, për shkak të kontributit në fushatë dhe në ekipin socialist”.
Në reagimin e saj, Çaushi u shpreh:“Kam vendosur të bëj këtë komunikim publik, pasi e ndjej të nevojshme të falënderoj kolegen time, Maldrita Bardho, për vendimin e guximshëm dhe befasues që më bën edhe më të përgjegjshme për detyrën time në Kuvendin e Shqipërisë.”
Duke përshkruar veten si një nga mijëra të rinjtë e rritur jashtë zonave urbane, ajo thekson se nuk e trembin sulmet politike dhe se do ta tregojë veten në punën parlamentare.
“Jam anatemuar në banaqet e studiove televizive dhe politikanëve që ulërasin emrin tim për të mbuluar zullumet e tyre, por kjo nuk më tremb. Se kush jam dhe çfarë do bëj në parlament, këtë do e tregojë koha,” – u shpreh ajo.
Në fund të reagimit, ajo falënderoi sërish Bardhon, duke e quajtur “model dhe shoqe”, ndërsa ironizoi Gazment Bardhin, duke e cilësuar si “politikanin më të dështuar” që partia e tij nuk po arrin ta largojë.