Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë iu ka kërkuar politikëbërësve të rishqyrtojnë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, të planifikuar për sivjet. Përderisa Oda Amerikane mbështet plotësisht një treg të hapur dhe konkurrues të energjisë, kjo odë thekson se kushtet aktuale tregojnë se Kosova ende nuk është e përgatitur për këtë tranzicion.
“Pavarësisht ekzistencës së 19 furnizuesve të licencuar, vetëm një është aktualisht funksional, duke krijuar një pozicion monopolist de facto që kufizon konkurrencën.
Bizneset janë thellësisht të shqetësuara për rritjen e kostove të energjisë, me 80% të kompanive të anketuara që presin rritje të konsiderueshme të kostove që do të ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrencën e tyre. Ndryshe nga homologët rajonalë, Kosova nuk ka siguruar konkurrencë të mjaftueshme me furnizuesit përpara se të zbatojë liberalizimin e tregut, duke i lënë bizneset me opsione të kufizuara dhe pasiguri të shtuar. Për më tepër, afati i shkurtër kohor i zbatimit – i paraprirë nga fushata të paqarta informacioni – nuk i lejon bizneset të përgatiten në mënyrë adekuate. Për qëllime buxhetore, hyrja në një rritje të kostos në mes të vitit shtrembëron planifikimin dhe menaxhimin financiar, gjë që mund të destabilizojë vazhdimësinë operacionale”.
“Pasiguria e investimeve është një tjetër çështje urgjente, pasi 70% e kompanive kanë frikë se rritja e kostove të energjisë do të ndikojë negativisht në planet e tyre afatgjata të investimeve dhe zgjerimit. Ndërsa investimi në energjinë e rinovueshme njihet gjerësisht si një zgjidhje potenciale afatgjatë, bizneset pranojnë se investime të tilla kërkojnë kohë dhe nuk mund të zbatohen para 1 qershorit 2025”.
Sipas Odës Amerikane, gjetjet nga diskutimet dhe anketat e biznesit nxjerrin në pah shqetësimet kryesore.
“Shumë biznese raportojnë mungesë informacioni në lidhje me furnitorët e disponueshëm dhe procesin e tranzicionit, duke e bërë të vështirë marrjen e vendimeve të informuara. Një strategji komunikimi më e fortë dhe më transparente është e nevojshme për të mbështetur bizneset gjatë këtij tranzicioni. Për më tepër, shumica e bizneseve ndihen të papërgatitur për të vlerësuar dhe negociuar kontratat në një treg të liberalizuar, duke ngritur shqetësime për aftësinë e tyre për të siguruar marrëveshje të drejta dhe konkurruese”.
“Për të mbështetur një tranzicion më të qëndrueshëm dhe efektiv, Oda Amerikane rekomandon që Qeveria të miratojë legjislacionin e nevojshëm dytësor për të zhbllokuar investimet në sistemet e ruajtjes së baterive – kritike për fleksibilitetin e rrjetit dhe menaxhimin efikas të energjisë. Në të njëjtën kohë, duhet të futet një skemë e re tatimore dhe doganore për të inkurajuar investimet në teknologjitë me efikasitet energjetik. Oda Amerikane gjithashtu i kërkon fuqimisht Qeverisë që të inicojë zhvillimin e një njësie gjeneruese vendore me kapacitet të madh, e cila do të rriste ndjeshëm pavarësinë energjetike të Kosovës dhe sigurinë e furnizimit”.
Oda Amerikane thekson në një njoftim se mbetet e përkushtuar për të mbështetur tranzicionin energjetik të Kosovës dhe do të kontribuojë duke edukuar anëtarët e saj dhe komunitetin e gjerë të biznesit për përfitimet e rritjes së investimeve në efiçiencën e energjisë
Duke pasur parasysh këto sfida, Oda Amerikane rekomandon fuqimisht që politikëbërësit të shtyjnë liberalizimin e tregut derisa të paktën tre furnizues të jenë plotësisht funksionalë për të siguruar konkurrencë të vërtetë. Duhet të krijohet një plan i qartë komunikimi për t’i ofruar bizneseve informacionin e nevojshëm në lidhje me opsionet e furnitorëve dhe negociatat e kontratave. Për më tepër, duhet të futen mekanizma të stabilitetit të çmimeve për të mbrojtur bizneset nga rritjet e papritura të kostove.
“Zgjatja e afatit të tranzicionit përtej 1 qershorit 2025, është thelbësore për t’u dhënë bizneseve kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me strukturën e re të tregut. Duhet të zbatohen gjithashtu politika për të inkurajuar konkurrencën e furnizuesve dhe për të mbështetur hyrjet e reja në treg, duke nxitur një treg vërtet konkurrues dhe të qëndrueshëm të energjisë”.
“Liberalizimi i tregut energjetik të Kosovës në kushtet aktuale do të dëmtojë bizneset, do të ulë konkurrencën dhe do të dekurajojë investimet. Oda Amerikane u bën thirrje politikëbërësve të miratojnë një qasje strategjike, me faza që i jep përparësi konkurrencës së tregut, stabilitetit të çmimeve dhe gatishmërisë së biznesit për të siguruar një tranzicion të suksesshëm”.