Misioni i OSBE-ODHIR ka publikuar raportin përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, duke vlerësuar se procesi ishte konkurrues dhe profesional, por i zhvilluar në një mjedis politik të thellësisht të polarizuar, me mospërputhje dhe abuzime që ndikuan në barazinë e garës.
Raporti: Zgjedhjet u menaxhuan mirë, por me sfida serioze
Sipas raportit, procesi i numërimit të votave, i ndjekur nga vëzhgues ndërkombëtarë në shumicën e qendrave, u zhvillua në mënyrë të rregullt, megjithëse pati mangësi në transparencë, respektim të procedurave dhe disa raste frikësimi të votuesve.
“Zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta loje”, thuhet në raportin e OSBE-ODHIR.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga misioni ndërkombëtar është përdorimi i gjerë i burimeve administrative nga partia në pushtet, gjë që krijoi “një avantazh të panevojshëm” në favor të zyrtarëve të lartë.
Në raport përmenden gjithashtu akuza të shumta për presion ndaj punonjësve publikë, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore.
Media dhe dezinformimi
Raporti nënvizon edhe mungesën e pluralizmit mediatik, për shkak të përqendrimit të pronësisë së mediave, vetëcensurës së gazetarëve dhe dominimit të mbulimit nga dy partitë kryesore.
Sipas OSBE-ODHIR, kjo situatë kufizoi mundësinë e votuesve për të marrë informacion të balancuar dhe për të bërë një zgjedhje të informuar.
Gjithashtu, rrjetet sociale u përdorën gjerësisht nga kandidatët për fushatë, duke amplifikuar diskursin konfrontues dhe pa asnjë autoritet të caktuar për të zbuluar përmbajtjen manipuluese ose dezinformuese.
Për herë të parë në këto zgjedhje u zbatua votimi jashtë vendit, i cili sipas raportit u menaxhua mirë, pavarësisht se marrëveshja politike për miratimin e tij erdhi vonë.
Administrata zgjedhore, vlerëson OSBE-ODHIR, veproi në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, por legjislacioni zgjedhor mbetet i kufizuar për të penguar abuzimet e mundshme.
Rekomandimet
Në përfundim, misioni thekson nevojën për përmirësime të dukshme në organizimin, transparencën dhe zbatimin e rregullave zgjedhore, si dhe hetimin e shkeljeve dhe krimeve zgjedhore për të forcuar besimin publik në proces.
“Ndjekja penale e rasteve të keqpërdorimit zgjedhor mbetet thelbësore për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme dhe për të garantuar standarde demokratike”, përfundon raporti.



