Një pjesë e konsiderueshme e punonjësve shqiptarë po mendojnë largimin nga vendi i tyre aktual i punës. Sipas raportit më të fundit të Gallup, “State of the Global Workplace 2025”, 36% e shqiptarëve janë duke kërkuar aktivisht mundësi të reja profesionale. Ky tregues vendos Shqipërinë në vendin e 8-të në Europë dhe Azinë Qendrore, duke lënë pas vende si Norvegjia, Suedia apo Serbia.
Edhe pse kjo shifër është më e ulët se një vit më parë, kur arriti në 42%, eksperët shohin tek ajo një sinjal të qartë të pakënaqësisë së lartë në tregun e punës shqiptar. Pagat relativisht të ulëta, mungesa e kushteve të mira të punës, pasiguria dhe emigracioni ekonomik janë ndër arsyet kryesore që i shtyjnë shqiptarët të kërkojnë alternativa.
Raporti i Gallup thekson gjithashtu se dëshira për të ndryshuar punë lidhet ngushtë me nivelin e stresit, mirëqenien e ulët dhe mungesën e angazhimit në punë. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse këto probleme nuk adresohen, Shqipëria mund të përballet me një “hemorragji të trurit” të profesionistëve të kualifikuar, duke rrezikuar zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e tregut të punës në dekadat e ardhshme.
Punëdhënësit shqiptarë përballen me sfidën për të përmirësuar kushtet e punës, për të ofruar paga konkurruese dhe për të investuar në mirëqenien e punonjësve, në mënyrë që të ruajnë talentin brenda vendit. Përveç faktorëve ekonomikë, raporti thekson rëndësinë e mjedisit të punës dhe mirëqenies psikologjike, duke përfshirë mbështetjen nga drejtuesit dhe mundësitë për zhvillim profesional.
Fenomeni i largimit të profesionistëve të rinj nuk është i ri, por intensiteti i tij po rritet, duke krijuar sfida të dyfishta për ekonominë shqiptare: humbjen e talentit dhe vështirësi për të tërhequr investime të huaja që kërkojnë fuqi punëtore të specializuar.



