Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve në disa media për një konflikt të supozuar institucional mes saj dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), lidhur me çështjen e njohur si “Partizani”, ku janë të pandehur Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe disa persona e subjekte të tjera.
Në deklaratën për shtyp, Gjykata thekson me vendosmëri se “një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar”, duke përgënjeshtruar çdo pretendim për tensione apo përplasje me SPAK-un.
“Gjykata e Posaçme funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm. Marrëdhënia me Prokurorinë e Posaçme është bazuar në respektin e kompetencave të secilit institucion dhe në funksion të një procesi të drejtë gjyqësor”, thuhet në deklaratë.
Gjykata thekson se Prokuroria është një palë në procesin penal dhe si e tillë “nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen gjyqësore”. Ajo kujton se pavarësia e gjyqtarëve është e garantuar me Kushtetutë dhe se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë konsiderohet një cenim i rëndë i ndarjes së pushteteve.
Përmes kësaj deklarate, Gjykata shpreh angazhimin për transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por thekson se nuk do të lejojë që kjo transparencë të përdoret si formë presioni ndaj gjyqësorit.